Mediumi spanjoll: Vedat Muriqi dy hapa larg legjendës së Mallorcas
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, po vazhdon të shkruajë histori me RCD Mallorca në La Liga. Mediumi spanjoll Ultima Hora i ka kushtuar një tjetër shkrim yllit kosovar, duke e përshkruar atë si “dy hapa larg shndërrimit në legjendë” të klubit.
Muriqi aktualisht ka 52 gola në 135 paraqitje me Mallorcan në elitën e futbollit spanjoll, seri që nisi në shkurt të vitit 2022 pas transferimit nga SS Lazio. Sulmuesi kosovar ka qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës në çdo sezon që ka luajtur me Mallorcan dhe tani është shumë pranë rekordit historik të klubit në La Liga.
Sipas “Ultima Hora”, Muriqi tashmë ka lënë pas ish-sulmuesit e njohur të klubit si Victor Casadesús dhe Juan Arango, ndërsa për të marrë vendin e parë duhet të kalojë vetëm edhe Samuel Eto’o, i cili kishte realizuar 54 gola në 133 ndeshje.
Edhe ky sezon po rezulton i jashtëzakonshëm për 31-vjeçarin. Ai ka shënuar 18 gola në kampionat, duke regjistruar shifrën e tretë më të lartë të golave nga një lojtar i Mallorcas në një sezon të vetëm. Muriqi tashmë ka kaluar rekordin prej 17 golash të Eto’os nga sezoni 2003/04 dhe ka barazuar shifrën e Diego Tristán nga sezoni 1999/00. Para tij mbeten vetëm Enrique Magdaleno me 19 gola (1986/87) dhe rekordi absolut i Dani Güiza me 27 gola në sezonin 2007/08.
Pavarësisht se Mallorca po kalon një sezon të vështirë dhe gjendet në zonën e rrezikut pas 27 xhirove, Muriqi ka qenë figura kyçe e skuadrës. Ai ka realizuar 58 për qind të golave të ekipit në kampionat – 18 nga gjithsej 31.
Madje, sulmuesi kosovar i vetëm ka më shumë gola se e gjithë skuadra e Real Oviedo, që deri tani ka realizuar 16.
Në garën për golashënuesin më të mirë të La Ligas, Muriqi renditet ndër emrat më produktivë, teksa vetëm superylli i Real Madrid, Kylian Mbappé, ka më shumë gola këtë sezon (23). Në pjesën e dytë të kampionatit, Muriqi është bashkë-golashënuesi më i mirë, së bashku me Lamine Yamal dhe Ante Budimir, me nga shtatë gola.
Sipas “Ultima Hora”, Mallorca ka nevojë për sulmuesin nga Ballkani që të vazhdojë të shpërthejë mbrojtjet rivale dhe të sigurojë pikë të rëndësishme për mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll.
