Marquinhos: PSG tregoi karakter në Munich, Luis Enrique na ka ndryshuar mentalitetin
Kapiteni i PSG-së, Marquinhos, ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij pas barazimit 1-1 ndaj Bayern Munich në gjysmëfinalen e kthimit të Champions League, rezultat që i siguroi parisienëve kualifikimin në finale.
Duke folur për “Prime”, mbrojtësi brazilian e cilësoi sfidën në Munich si një nga më të vështirat e sezonit.
“U përballëm me një ndeshje shumë të vështirë, ndoshta një nga më të vështirat e këtij sezoni, por treguam edhe një herë forcën tonë si skuadër”, tha Marquinhos.
Ai theksoi se PSG duhet të vazhdojë me të njëjtin mentalitet, pasi objektivi i madh mbetet fitimi i Champions League.
“Duhet të vazhdojmë kështu, me këtë mentalitet, sepse tani synimi ynë është të fitojmë Champions League, por edhe Ligue 1”, u shpreh ai.
Marquinhos nuk harroi të falënderojë edhe tifozët parisienë për mbështetjen e vazhdueshme.
“Ata janë gjithmonë me ne, kudo që luajmë. E di sa shumë sakrifikojnë për të na ndjekur dhe sot janë krenarë për këtë skuadër”, deklaroi kapiteni i PSG-së.
Në fund, ai pati fjalë të mëdha edhe për trajnerin Luis Enrique, duke theksuar ndikimin e tij në ndryshimin e mentalitetit të ekipit.
“Kjo skuadër ka ndryshuar mentalitet, sidomos falë punës së Luis Enrique. Dimë të sulmojmë, por sot treguam se dimë edhe të vuajmë dhe të mbrohemi së bashku”, përfundoi Marquinhos.
