Maroku eliminon Holandën pas penalltive dhe siguron vendin në 1/8 e finales

Maroku ka vazhduar rrugëtimin mbresëlënës në Kupën e Botës 2026, duke eliminuar Holandën pas penalltive me rezultat 3:2, pasi ndeshja e fazës së 1/16 së finales përfundoi 1:1 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve.

Heroi i skuadrës afrikane ishte Ismael Saibari, i cili realizoi penalltinë vendimtare, ndërsa portieri Yassine Bounou u shqua me pritje vendimtare në serinë e goditjeve nga pika e bardhë.

Holanda kaloi në epërsi në minutën e 72-të me golin e Cody Gakpo, i cili realizoi pas asistimit të Crysencio Summerville. Pas golit, futbollisti holandez shpërtheu në lot, teksa javët e fundit ai dhe partnerja e tij kishin bërë të ditur humbjen e foshnjës së tyre të palindur.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt kualifikimit të “Tulipanëve”, Maroku goditi në minutën e parë shtesë të kohës së rregullt. Chemsdine Talbi harkoi në zonë, ndërsa Issa Diop realizoi me kokë për 1:1, duke dërguar ndeshjen në vazhdime.

As 30 minutat shtesë nuk sollën fituesin, ndërsa gjithçka u vendos në penallti.

Në serinë vendimtare, portieri maroken Yassine Bounou ndali goditjen e Crysencio Summerville, duke i hapur rrugë Ismael Saibarit që të vuloste kualifikimin me goditjen e fundit.

“Askush nuk është i pamposhtur. Duhet t’i themi vetes se askush nuk mund të na ndalë”, deklaroi pas ndeshjes përzgjedhësi i Marokut, Mohamed Ouahbi.

Për Holandën, ky ishte eliminimi i tretë radhazi nga Kupat e Botës pas një serie penalltish. Skuadra e Ronald Koemanit kishte arritur të paktën në fazën e 1/8 së finales në 11 paraqitjet e saj të mëparshme në Botëror, por këtë herë u ndal nga një Marok i vendosur dhe i disiplinuar.

Në raundin e ardhshëm, Maroku do të përballet me Kanadanë, në një duel që do të zhvillohet të shtunën në Houston.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *