May 17, 2026

Malisheva siguron Evropën pas fitores ndaj Drenicës

Malisheva e ka siguruar paraqitjen e tretw në kualifikimet e Ligës së Konferencës, pas fitores së thellë ndaj Drenicës.

Të dielën në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, në xhiron e 34-t të elitës së futbollit kosovar, Malisheva fitoi 4:1.

Me këtë fitore, Malisheva e ka siguruar pozitën e tretë pasi i ka 10 pikë më shumë se Prishtina që është e katërta, dhe 11 më shumë se Dukagjini i pesti dhe Gjilani i gjashti. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u luajtur, ndërsa Drenica rrezikon rënien pasi nuk është larg pozitës së barazhit.

Kampionia e Kosovës, Drita do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa Ballkani e Malisheva në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Pjesa e parë u mbyll 0:0, ndërsa në pjesën e dytë, golat e fitores për Malishevën i shënuan Assane Diatta në minutat 55-të dhe 81, Arlind Veliu në minutën e 76-të, dhe Xhemal Ibishi në minutën e 83-të.

Kreshnik Uka ndërkohë shënoi për 4:1 në minutën e tretë të kohës shtesë. Për Ukën ishte goli i 17-të në këtë edicion dhe është golashënuesi më i mirë aktualisht.

Drenica është në vendin e shtatë me 44 pikë, një më shumë se Llapi që është në vendin e tetë, përkatësisht të barazhit. Drenica po ashtu e ka vetëm një pikë më pak se Dukagjini i pesti dhe Gjilani i gjashti.

Malisheva në edicionin 2024/25 ishte eliminuar nga Buduqnosti i Malit të Zi, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në këtë rreth të garës ishte eliminuar edhe në edicionin 2025/26.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *