Kosova përmbys Armeninë me stil – fiton 5:2 në “Fadil Vokrri”

Kombëtarja e Kosovës e ka vazhduar serinë pozitive me një fitore bindëse në miqësoren kundër Armenisë. Edhe pse ishte dy herë në disavantazh, Dardanët shkëlqyen në pjesën e dytë dhe triumfuan me rezultat të thellë, 5:2.
Ndeshja u zhvillua të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” përpara një numri modest shikuesish, por me shumë momente emocionuese në fushë.
Kosova e nisi keq takimin. Në minutën e 13-të, pas një reagimi të dobët të mbrojtjes, gjuajtja e Tiknizyan u devijua nga portieri Amir Shaipi në portën e tij për 0:1.
Përgjigjja erdhi në minutën e 23-të me një gol të bukur të Lumbardh Dellovës, që barazoi në 1:1. Megjithatë, gëzimi zgjati pak, pasi vetëm gjashtë minuta më vonë, Eduard Spertsyan realizoi për 1:2, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Kosova dominoi në pjesën e dytë. Pas një ndërhyrjeje të palejuar ndaj Baton Zabërgjës në zonë, kapiteni Mërgim Vojvoda realizoi saktë nga pika e bardhë në minutën e 61-të për 2:2.
Pas këtij goli, selektori Franco Foda reagoi me pesë zëvendësime të shpejta. Ndryshimet dhanë rezultat të menjëhershëm: Lindon Emërllahu, njëri nga lojtarët e inkuadruar, shënoi një gol të bukur për përmbysjen 3:2 në minutën e 71-të.
Në skenë doli më pas Albion Rrahmani, i cili vulosi fitoren me dy gola të shpejtë në minutat 90 dhe 93, duke e mbyllur sfidën me rezultatin final 5:2.
Edhe pse pa shumë emra të mëdhenj si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Aro Muriq, Milot Rashica e Edon Zhegrova, Kosova tregoi thellësi në përbërje dhe dëshirë për fitore. Zëvendësuesit e justifikuan plotësisht besimin dhe konfirmuan formën e mirë të ekipit nën drejtimin e Fodës.





