Kombëtarja U18 nisi grumbullimin seleksionues në Kampin Nacional në Hajvali

Kombëtarja e Kosovës U18 ka nisur grumbullimin treditor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, me qëllim seleksionimin e futbollistëve më të mirë vendorë që do të mund të i shërbejnë ekipeve kombëtare.
Në këtë fazë përgatitore janë ftuar 37 futbollistë, të gjithë nga klubet vendore, të cilët do të kenë rastin të dëshmojnë cilësitë e tyre në stërvitje intensive dhe në një ndeshje testuese që do të zhvillohet në ditën e fundit të grumbullimit.
Përzgjedhësi Alban Dragusha u shpreh i kënaqur me ecurinë e përgatitjeve, duke theksuar rëndësinë e këtij kampi për t’i identifikuar talentet e rinj. “Grumbullimi po ecën mirë. I kemi ftuar një numër më të madh, sepse nuk kemi pasur mundësi më herët t’i grumbullojmë të gjithë, por pavarësisht kësaj ne gjithmonë kemi qenë në përcjellje të tyre nëpër klubet ku ata janë të angazhuar”, theksoi ndër të tjera Dragusha.
Mes futbollistëve të ftuar janë edhe Erin Demolli dhe Erhad Vokrri, të cilët shprehën mirënjohje për ftesën dhe emocionin që sjell gjithmonë pjesëmarrja në kombëtare.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Duhet të tregojmë veten në klub për të marrë ftesën pastaj nga kombëtarja ku gjithmonë tentojmë ta japim më të mirën”, tha Erhard Vokrri.
Ndërsa Erin Demolli pohoi se në kombëtare gjithmonë është atmosferë e mirë dhe mezi e presin çdo grumbullim.
