Kolumbia fiton Grupin K pas barazimit pa gola me Portugalinë

Kolumbia e mbylli fazën e grupeve të Kupës së Botës në vendin e parë të Grupit K, pasi barazoi 0-0 me Portugalinë në një ndeshje të zhvilluar në “Hard Rock Stadium” në Miami, përpara një atmosfere elektrizuese të krijuar nga mijëra tifozë kolumbianë.

Edhe pse të dyja kombëtaret e kishin siguruar tashmë kualifikimin në fazën eliminatore, sfida ishte e luftuar dhe me raste të shumta, veçanërisht nga Kolumbia, e cila dominoi lojën dhe krijoi më shumë mundësi për gol.

Trajneri i Kolumbisë, Néstor Lorenzo, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, duke theksuar se futbollistët e tij ishin më të mirë në fushë dhe meritonin fitoren, por u mungoi konkretizimi para portës.

Portieri portugez Diogo Costa ishte ndër më të dalluarit e takimit, duke realizuar gjashtë pritje vendimtare. Ndërkohë, Kolumbia mendoi se kishte gjetur golin e fitores në minutat shtesë me Davinson Sánchez, por goli u anulua për pozicion jashtë loje pas verifikimit nga VAR.

Me këtë rezultat, Kolumbia avancon si fituese e Grupit K dhe në fazën e 32 skuadrave do të përballet me Ganën. Nga ana tjetër, Portugalia e mbylli grupin në vendin e dytë dhe do të sfidojë Kroacinë në raundin eliminator.

Portugalia, një nga favoritët për fitimin e trofeut, e përfundoi fazën e grupeve me një fitore dhe dy barazime. Cristiano Ronaldo, i cili shkroi histori duke u bërë futbollisti i parë që shënon në gjashtë Kupa Bote, do të kërkojë ta udhëheqë kombëtaren portugeze drejt fazave të avancuara të turneut.

Ndeshja u ndoq nga mbi 64 mijë tifozë, mes tyre personalitete të njohura nga sporti, politika dhe bota e artit, duke e bërë një nga sfidat më tëndjekura dhe më tërheqëse të fazës së grupeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *