Ibrahimovic: E shkruar që Messi ta fitojë Botërorin

Zlatan Ibrahimovic është i bindur se ylli i Argjentinës, Lionel Messi do të arrijë të kurorëzohet edhe me trofeun e vetëm që i mungon në karrierë – Kupën e Botës.
“Tashmë është e shkruar se kush do ta fitojë kupën. Ju e dini shumë mirë që e kam fjalën për Messin. Kroacia dhe Franca janë kombëtare të mëdha, por nuk e vë aspak në dyshim triumfin e Argjentinës në këtë Botëror”, tha sulmuesi 41-vjeçar, në një bisedë me gazetarët në Dubai, ku Milani po merr pjesë aktualisht në një turne miqësor.
Ai ka pasur disa fjalë edhe për sensacionin e këtij Botërori, Marokun.
“Sinqerisht, nuk më befasuan, sepse kanë cilësi të shkëlqyeshme brenda grupit. Gjithçka mund të ndodhë në Kupën e Botës. Ata janë një ekip i mirë dhe tani nuk kanë asgjë për të humbur. Padyshim Maroku do të jenë rival shumë i rrezikshëm për Francën”, shtoi Ibrahimovic.