Gjermania e nis furishëm Euro 2024, gjunjëzon Skocinë
Kombëtarja e futbollit e Gjermanisë me një paraqitje të fuqishme e mposhti Skocinë me rezultat 5-1 (3-0), në hapjen e Kampionatit Evropian. Ndeshja në “Allianz Arena” ofroi një lojë të shkëlqyer për gjermanët dhe një fillim premtues të turneut në të cilin tifozët kanë pritshmëritë më të larta. Skocezët nuk ishin një rival i vërtetë që do të sfidonte skuadrën gjermane, e cila tashmë në pjesën e parë kishte një avantazh prej tre golash.
Që në fillim vendasit luajtën mirë, shtrydhën mysafirin në Munih dhe nisën të krijojnë raste. Rezultati u hap pas dhjetë minutash lojë, pasi Florian Wirtz shënoi pa menduar nga e para pas një pasimi të Kimmich për të shënuar 1-0 për gjermanët.
Skocezët u tronditën pas golit të pësuar dhe dukeshin të çorientuar. Vetëm nëntë minuta iu deshën skuadrës gjermane për të arritur në avantazh të dyfishtë. Kai Havertz shërbeu Jamal Musiala, i cili nga rreth 10 metra e “gozhdoi” topin në rrjetën e miqve (2-0). Pasoi një periudhë më e qetë, por Gjermania vazhdoi të ushtronte presion. Para përfundimit të pjesës së parë kur të gjithë prisnin pushim, Ryan Porteous i shkujdesur shkaktoi penallti. Arbitri Clemen Turpan me ndihmën e VAR-it akordoi penallti dhe e ndëshkoi lojtarin skocez me karton të kuq. Kai Havertz ishte i sigurt nga 11 metra për 3-0 në minutën e 46-të.
Në pjesën e dytë gjermanët luajtën pa ndonjë presion, por sërish ishin një ekip më i rrezikshëm. Rüdiger dhe Wirtz tentuan, por rezervisti Niklas Fulkrug arriti të çojë shifrat në 4-0 në minutën e 68-të. Në fund, skocezët arritën të shënojnë një gol të nderit, pas autogolit të Antonio Rudiger, i cili goditi me kokë portën e tij. Megjithatë, Emre Can e vendosi rezultatin final 5-1 në kohën shtesë.
