FIFA këmbëngul në planin për investitorë privatë: Askush nuk po e shet futbollin
FIFA ka mbrojtur planin e saj për krijimin e një strukture të re tregtare që do t’u mundësonte investitorëve privatë të blejnë aksione në garat kryesore të saj, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga UEFA dhe konfederata të tjera.
Organi qeverisës i futbollit botëror ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për shitjen e futbollit, duke insistuar se investimet e jashtme nuk do të ndikojnë në qeverisjen e sportit.
“Askush nuk po e shet futbollin. Nuk është diçka që FIFA do ta merrte ndonjëherë në konsideratë”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.
Plani parasheh krijimin e një dege tregtare të quajtur “FIFA Forward Enterprise (FFE)”, e cila do të menaxhonte ngjarjet kryesore të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës. Sipas FIFA-s, investitorët e jashtëm do të kenë vetëm pjesëmarrje të vogla dhe jo kontrolluese në këtë strukturë.
“FFE është propozuar për të siguruar që të gjitha federatat nacionale anëtare të kenë mundësi të marrin pronësi domethënëse në mundësitë tregtare në tregjet e tyre përkatëse. Kjo nuk bëhet në llogari të shpirtit të qeverisjes së FIFA-s apo vetë futbollit”, ka deklaruar FIFA.
Megjithatë, ideja ka shkaktuar përplasje mes FIFA-s dhe disa prej konfederatave më të fuqishme. UEFA ka votuar të enjten për bojkotimin e Kupës së Botës dhe ngjarjeve të tjera të FIFA-s nëse ky plan do të vazhdonte.
Edhe CONCACAF, që përfshin federatat e Amerikës së Veriut dhe Qendrore, ka bërë të ditur se 41 federatat anëtare kanë refuzuar propozimin e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Për miratimin e këtij plani, Infantino do të kishte nevojë për mbështetjen e 106 prej 211 federatave anëtare të FIFA-s. UEFA dhe CONCACAF së bashku përfaqësojnë 96 vota.
FIFA ka thënë se procesi i konsultimit do të vazhdojë, duke theksuar se federatat kombëtare duhet të kenë mundësi të marrin vendime “bazuar në fakte” dhe jo në raportime që, sipas saj, kanë qenë të pasakta.
