February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 12, 2026

FFK shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Jakup Berishës

Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Jakup Berishës, njërit prej figurave të shquara të arsimit dhe sportit në Gjilan dhe në mbarë Kosovën.

Në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjes Berisha, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka vlerësuar lart kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e futbollit kosovar, veçanërisht në periudhat më të vështira për vendin.

“Jakup Berisha nuk ishte vetëm një emër i respektuar në fushën e arsimit, por edhe një shtyllë e rëndësishme e sportit në Gjilan dhe në mbarë Kosovën, veçmas në vitet më të vështira për vendin tonë. Me urtësinë, integritetin dhe përkushtimin e tij të pashoq, ai la pas një trashëgimi të çmuar që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm”, thuhet në mesazhin e presidentit Ademi.

Berisha ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së në dy mandate, në fillim të viteve ’90, në periudhën e mëvetësimit të sportit kosovar, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin dhe mbijetesën e futbollit në rrethana tejet të vështira.

“Së bashku me figura të shquara si Agim Bytyqi dhe Rexhep Abdullahu, Jakupi ishte ndër vizionarët që nuk u thyen para sfidave, duke i dhënë formë dhe shpirt futbollit kosovar”, theksohet më tej në mesazh.

Presidenti Ademi, në emër të tij personal dhe në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, ka shprehur solidaritet me familjen Berisha, duke theksuar se emri dhe vepra e Jakup Berishës do të kujtohen përherë me respekt dhe mirënjohje nga komuniteti i futbollit në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *