April 23, 2026

FFK organizon punëtorinë “Integriteti në sport”, fokus në luftën kundër dopingut dhe manipulimit të ndeshjeve

Sot në Prishtinë, nën organizimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, u mbajt punëtoria njëditore “Integriteti në sport”, me pjesëmarrjen e sekretarëve të klubeve të Superligës dhe monitoruesve të FFK-së nga ligat e ndryshme.

Gjatë kësaj punëtorie u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me ruajtjen dhe forcimin e integritetit në futboll. Fillimisht u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit institucional, edukimit dhe parandalimit, ndërsa më pas u shtjelluan rolet, kompetencat dhe përgjegjësitë disiplinore dhe etike brenda strukturave të futbollit. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kornizës ligjore dhe sanksioneve në rastet kur evidentohen shkelje.

Në vazhdim, u trajtuan çështje që lidhen me promovimin e sportit të pastër dhe luftimin e dopingut, ku u theksua rëndësia e respektimit të rregullave anti-doping, ndërgjegjësimi i sportistëve dhe mekanizmat e kontrollit që ndihmojnë në parandalimin e përdorimit të substancave të ndaluara. Gjithashtu, u diskutuan metodat për mbledhjen dhe analizimin e informacioneve në rastet e manipulimit të ndeshjeve. U prezantua roli i institucioneve ndërkombëtare në luftën kundër ndeshjeve të manipuluara, përfshirë analizën e të dhënave të basteve dhe mekanizmat e raportimit.

Punëtoria përfshiu edhe diskutime mbi inicimin e procedurave disiplinore dhe standardet përkatëse, si dhe mbi rëndësinë e sigurisë dhe mbështetjes institucionale në ruajtjen e integritetit të garave nga perspektiva e organeve të sigurisë.

Ligjërues në këtë punëtori ishin: Angela Celestino – Menaxhere e Inteligjencës, Njësia Kundër Manipulimit të Ndeshjeve, Divizioni i Integritetit dhe Rregullativës në UEFA; Giulio Palermo – Arbitër i CAS-it, i pranuar në Odat e Avokatëve të Romës, Madridit dhe Gjenevës; Jack Kennedy – Zëvendës President në SportRadar; Arben Fetahu – Anëtar i Këshillit Kombëtar për parandalim dhe sanksionim të dhunës në sport; Kapiten Bajram Shabani – Shef i Sektorit për Planifikim Permanent në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës; Dr. Bernard Tahiribegolli nga KosADA; Tomor Grabovci – Koordinator i Komisioneve në FFK; si dhe Gazmend Bojniku – Zyrtar i Integritetit në FFK.

Përmes këtyre prezantimeve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë dhe të shkëmbejnë përvoja, me qëllim të përbashkët në avancimin e integritetit në futbollin kosovar.

Federata e Futbollit të Kosovës mbetet fuqishëm e përkushtuar në mbrojtjen dhe forcimin e integritetit në sport, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të futbollit në vend. FFK do të vazhdojë të investojë në edukim, transparencë dhe bashkëpunim me të gjitha klubet dhe institucionet relevante, me synimin që të parandalojë çdo formë të shkeljes së rregullave, përfshirë dopingun dhe manipulimin e ndeshjeve. Ky angazhim i vazhdueshëm synon të garantojë një ambient të drejtë, të pastër dhe të besueshëm për të gjithë aktorët e futbollit kosovar, duke e vendosur integritetin si parim themelor të çdo aktiviteti sportiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *