Fernández në sekondat e fundit shokon “Etihad”-in, Chelsea ndal Manchester Cityn
Enzo Fernández ka shënuar në minutën e 94-t për t’i shpëtuar humbjes Chelseat ndaj Manchester Cityt, në një derbi dramatik të xhiros së 20-të të Premier Leagues që u zhvillua të dielën mbrëma në “Etihad Stadium” dhe përfundoi 1:1.
Skuadra e Pep Guardiolës kaloi në epërsi në minutën e 42-të, kur Tijjani Reijnders realizoi një gol të bukur, duke i dhënë avantazhin Cityt para pushimit.
Megjithatë, “Blutë” e Londrës nuk u dorëzuan. Pas presionit të vazhdueshëm në minutat e fundit, barazimi erdhi në frymën e fundit të takimit. Malo Gusto shpërtheu fuqishëm në krahun e djathtë dhe asistoi për Enzo Fernándezin, i cili nga zona mposhti portierin vendas, duke heshtur tribunat e “Etihad”-it.
Ky barazim i kushtoi shtrenjtë Manchester Cityt në garën për titull. Kampionët në fuqi tani janë gjashtë pikë prapa Arsenalit lider, që kryeson me 48 pikë. City mbetet i dyti me 42 pikë, po aq sa Aston Villa në vendin e tretë, ndërsa Chelsea renditet në pozitën e pestë me 31 pikë.
