February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 14, 2026

Ferizaj “i fundosur” synon të marrë rezultat pozitiv ndaj Dritës

Te Ferizaj janë të vendosur që serinë e rezultateve pozitive në stinorin pranveror ta vazhdojnë edhe ndaj Dritës. Pas tri ndeshjeve të para në pranverë, ku nuk regjistroi asnjë humbje, Ferizaj e pret Dritën në kuadër të xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën prej orës 13:00. Ferizaj ka tubuar pesë pikë në tri ndeshjet e fundit, ku regjistroi një fitore e dy barazime, për ta bërë edhe me interesante luftën për mbijetesë në Superligë. Mbetet në vendin e fundit në tabelë me 18 pikë, por forma e mirë e shfaqur ka rritur shpresat e ferizajasve për ta siguruar mbetjen në elitë edhe për edicionin e ardhshëm.

Drita po lufton për titullin e kampionit dhe renditet e dyta në tabelë me 44 pikë, tri më pak se Ballkani. Kapiteni i Ferizajt, Bujar Shabani, është shprehur optimist të premten për duelin me Dritën, ish-ekipin e tij. Ai ka insistuar se Ferizaj do të futet në fushë për rezultat pozitiv.

“Realisht na pret një ndeshje shumë e vështirë, por që vjen në një moment shumë të mirë për ekipin tonë. E kemi pasur një start të mirë në pranverë, të cilin duam ta vazhdojmë edhe ndaj Dritës. Do të japim gjithçka nga vetja që të marrim një rezultat pozitiv, duke pasur parasysh se luajmë si vendas para publikut tonë dhe e kemi si një lloj detyrimi një gjë të tillë”, ka thënë Shabani për Kohën.

Te Drita e kanë parasysh formën e mirë të Ferizajt, por kanë paralajmëruar se synojnë fitoren e tretë rresht në pranverë, pas humbjes së papritur nga Trepça ’89. Të dy skuadrat janë të kompletuara për këtë përballje.Trajneri i Dritës, Arsim Thaqi, pret që ekipi i tij t’ia shkaktojë humbjen e parë Ferizajt.

“Normalisht që kemi respekt ndaj secilit kundërshtar. Ferizaj në stinorin pranveror nuk e ka asnjë humbje dhe shpresoj që humbjen e parë t’ia shkaktojë Drita. Neve na duhet fitorja për të vazhduar rrugëtimin tonë pa u marrë me klubet tjera. I kemi marrë të gjitha masat dhe besoj që futbollistët do t’i kryejnë detyrat ashtu siç duhet dhe do të angazhohen sikurse në ndeshjen e fundit që e fituam ndaj Prishtinës. Ferizaj po luan mirë dhe sigurisht se presim një ndeshje të fortë, por ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha rastet dhe të vazhdojmë tutje”, është shprehur Thaqi.

Sot zhvillohet edhe një ndeshje tjetër në kuadër të xhiros së 22-të. Në stadiumin “Liman Gegaj”, Malisheva e pret Drenicën, skuadra këto që nuk dinë për fitore në pranverë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *