Dukagjini kthehet te fitorja me një rikthim dramatik ndaj Suharekës

Dukagjini i Klinës ka siguruar një fitore jetike në garën për mbetje në Superligën e Kosovës, duke triumfuar 2:1 ndaj Suharekës në një ndeshje plot emocione të zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.

Ekipi i drejtuar nga Ismet Munishi, që nuk kishte shijuar fitoren që nga 20 dhjetori, e përmbysi rezultatin falë dy golave të Altin Merlakut, i cili shkëlqeu me paraqitjen e tij.

Skuadra vendase e nisi më mirë takimin dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, kur Fitim Susuri përfitoi nga një gabim i mbrojtjes mysafire dhe e dërgoi topin në rrjetë. Suhareka pretendoi gjithashtu për një ndëshkim më të ashpër ndaj Dukagjinit pas një ndërhyrjeje ndaj Leart Eminit, por gjyqtari nuk dha karton të kuq.

Në pjesën e dytë, Dukagjini u rikthye fuqishëm. Merlaku barazoi rezultatin në minutën e 73-të, ndërsa vetëm tre minuta më vonë realizoi një supergol nga goditja e dënimit, duke i siguruar ekipit të tij tri pikë të çmuara.

Suhareka mbeti me një lojtar më pak në minutën e 83-të, kur qendërmbrojtësi Kemal Osmankoviq u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë, duke vështirësuar edhe më shumë mundësitë për një rikthim të vendasve.

Me këtë fitore, Dukagjini ngjitet në vendin e shtatë me 24 pikë, një më shumë se Ferizaj, i cili ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Ndërkohë, Suhareka mbetet në pozitën e pestë me 26 pikë, dy më shumë se Gjilani, që gjithashtu ka një ndeshje më pak.

Të dielën, Gjilani përballet me Ballkanin, ndërsa Ferizaj do të vizitojë Malishevën të martën. Po të dielën, do të luhet edhe përballja mes Feronikelit 74 dhe Llapit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *