Dukagjini fiton me rikthim të rezultatit ndaj Malishevës
Dukagjini ka fituar me rikthim të rezultatit në ndeshjen e xhiros së 19-të të elitës së futbollit kosovar.
Skuadra nga Klina të dielën në stadiumin “18 Qershori” fitoi me rezultatin 2:1 ndaj Malishevës.
Për Dukagjinin është fitorja e tretë rresht, pas triumfit ndaj Gjilanit dhe Dinamos në Kupën e Kosovës.
Ndërkohë, Malisheva e pësoi disfatën e parë pas pesë fitoreve të njëpasnjëshme në Superligë dhe në Kupën e Kosovës.
Në këtë ecuri, skuadra e drejtuar nga trajneri Qendrim Kida, mposhti Llapin, Lirinë dhe Dritën në Superligë, si dhe Kikën e Feronikelin 74 në garën për Kupë të Kosovës.
Drilon Hazrollaj e shënoi golin e epërsisë për Malishevën në minutën e 44-t të ndeshjes.
Megjithatë, Dukagjini u kthye në lojë në pjesën e dytë dhe mori pikët e plota.
Fillimisht, Iljasa Zulfiu i barazoi shifrat në minutën e 58-të, ndërsa Paulo Silva në minutën e 65-të, realizoi me kokë nga afërsia për 2:1.
Dukagjini me këtë fitore forcohet në pozitën e gjashtë me 27 pikë në 19 ndeshje të zhvilluara.
Malisheva bie në pozitën e pestë dhe tani ka 29 pikë, aq sa ka edhe Prishtina në pozitën e katërt.
