April 23, 2026

Dukagjini eliminon Ballkanin, është në finalen e Kupës

Dukagjini i Klinës e ka arritur finalen e katërt të Kupës së Kosovës pasi në gjysmëfinale e eliminoi Ballkanin e Suharekës. 

Dukagjini të mërkurën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë fitoi me rezultatin 3:2, dhe e eliminoi Ballkanin me rezultatin e përgjithshëm, 6:2. 

Ndeshjen e parë në stadiumin e qytetit në Suharekë, Dukagjini e fitoi 3:0. Ndeshja e zhvilluar në Klinë dhuroi shumë gola e lojë të hapur. Vendësit kaluan në epërsi të parët me kapitenin Elton Basriu, që shënoi në minutën e 23-të. Një minutë para golit të Dukagjinit, Ballkanit iu anulua goli i Almir Kryeziut për pozitë jashtë loje. Ballkanit iu vështirësuan punët pas përjashtimit të Albert Dienes. Mesfushori i suharekasve u largua direkt me të kuq nga loja nga gjyqtari Lirim Jashari. Arbitri kryesor i ndeshjes pa shkelje të Dienes në këmbën e Erlis Xhemajlit pas rishikimit të situatës në VAR. Ia hoqi kartonin e verdhë dhe e përjasthoi nga loja direkt me të kuq. Pavarësisht se me një lojtar më pak në fushë, Ballkani i barazoi shifrat në minutën e 36-të me sulmuesin Bleart Tolaj. Tolaj e shënoi edhe një tjetër gol në minutën e 50-të për 2:1 në të mirë të Ballkanit. Por vendësit, të udhëhequr nga trajneri Arsim Thaqi, nuk u dorëzuan dhe shënuan me Mërgim Pefqelin në minutën e 64-t për 2:2. Dukagjini e shënoi edhe një tjetër gol për fitore. Dienit Isufi kaloi një futbollist nga krahu i majtë, dhe gjuajti fuqishëm, katër minuta para fundit për 3:2. Engjëll Ajazaj shënoi për Ballkanin në minutën e 87-të. Por, edhe goli i tij nuk u pranua pasi gjatë ndërtimit të aksionit, pati pozitë jashtë loje. Kjo u konfirmua nga VAR-i. Dukagjini i ka humbur tri finalet e kaluara. Nga Prishtina u mposht në edicionin 1994/95, ndërsa nga Flamurtari humbi në edicionin 1995/96. Finalen e fundit e luajti ndaj Llapit në edicionin 2020/21. Por ishte mposhtur edhe në atë ballafaqim. Ndërkohë, Ballkani e ka një finale të humbur në Kupën e Kosovës dhe një trofe të fituar. Nga Prishtina ishte mposhtur në finale të edicionit 2019/20, ndërsa po ndaj “bardhekaltërve” kishte triumfuar në edicionin 2023/24.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *