Dukagjini e Prishtina ndahen në barazim, fitorja e Suharekës ndez luftën për mbijetesë në Superligë
Java e 33-të e Albi Mall Superligës së Kosovës solli sot dy ndeshje. Ndeshja ndërmjet Dukagjinit dhe Prishtinës u mbyll pa fitues dhe pa gola, ndërsa Suhareka befasoi me një fitore të madhe në udhëtim, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.
Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Dukagjini dhe Prishtina u ndanë me rezultat të bardhë 0:0, në një përballje ku të dyja skuadrat kishin mundësitë e tyre, por mungoi konkretizimi.
Ky ishte barazimi i katërt në pesë ndeshjet e fundit për Dukagjinin, që mbetet në vendin e shtatë me 42 pikë. Prishtina, nga ana tjetër, është në vendin e gjashtë me 44 pikë dhe gjithashtu nuk po gjen konsistencë, me tre barazime dhe një fitore në katër ndeshjet e fundit.
Pas një serie prej pesë humbjesh dhe një barazimi, Suhareka është kthyer te fitorja pikërisht kur i duhej më shumë. Skuadra nga jugu mposhti Feronikelin 74 me rezultat 3:1 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” dhe vazhdon luftën për mbijetesë.
Jakup Berisha zhbllokoi rezultatin që në minutën e 9-të, ndërsa Fitim Susuri dyfishoi në të 29-ën. Golin e tretë e realizoi sulmuesi më në formë i Suharekës, Mevlan Zeka, në minutën e 57-të. Ky ishte goli i 17-të sezonal për Zekën, i cili tani barazohet me golashënuesin e Ballkanit, Sunday Adetunji.
Feronikeli 74 arriti të ngushtojë rezultatin me golin e Adonis Qorrit në minutën e 73-të, por edhe pse Suhareka mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Steven Kodrës në minutën e 85-të, vendasit nuk arritën të përmbysin rezultatin.
Në fund, një autogol i Donat Hasanajt u anulua nga VAR për shkak të faullit ndaj mbrojtësit të Suharekës, duke i lënë shifrat përfundimtare 3:1 për mysafirët.
Pas kësaj fitoreje, Suhareka shkon në kuotën e 36 pikëve dhe ngushton diferencën me Llapin që ka 40 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe tri xhiro, që pritet të jenë vendimtare për fatin e skuadrave në fund të tabelës.
