Drita mund me vështirësi Vushtrrinë, Manaj vendos ndeshjen

FC Drita ka shënuar fitoren e dytë radhazi në elitën e futbollit kosovar, pasi të dielën mposhti në udhëtim KF Vushtrria me rezultat 1:0.

Ndeshja e xhiros së tretë u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, në fushë me bar sintetik, ndërsa nuk munguan as tensionet jashtë fushës.

Në minutën e 15-të pati përplasje mes tifozëve të dy skuadrave në tribuna. Policia e Kosovës reagoi shpejt dhe situata nuk eskaloi më tej.

Në fushë, Drita pati më shumë iniciativë, sidomos në pjesën e parë, por nuk arriti ta konkretizojë epërsinë. Mundësinë më të mirë e pati Igball Jashari, i cili në fund të pjesës së parë nuk arriti të shënonte nga afërsia.

Goli i fitores erdhi në minutën e 77-të. Arb Manaj realizoi me kokë nga afërsia, duke i dhënë Dritës epërsinë 1:0.

Vushtrria tentoi të reagojë, por pa sukses. Situata u vështirësua edhe më shumë për vendasit në minutën e 82-të, kur Haris Ibrisagiq u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Igball Jasharit.

Me këtë fitore, Drita ka dy triumfe në dy ndeshjet e zhvilluara nën drejtimin e trajnerit të rikthyer, Ardian Nuhiu.

Në anën tjetër, Vushtrria pësoi humbjen e tretë në po aq ndeshje të zhvilluara.

Drita tani e ka kthyer fokusin tërësisht te Superliga pas eliminimit nga Liga e Konferencës. Gjilanasit ende nuk e kanë zhvilluar derbin ndaj Prishtinës, për shkak të angazhimit në garat evropiane, ndërsa kjo ndeshje do të zhvillohet në një datë të mëvonshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *