Dortmund fiton me krenari, por Barcelona kalon në gjysmëfinale në Champions
Borussia Dortmund dha një tjetër dëshmi të shpirtit luftarak gjerman, duke mposhtur Barcelonën me rezultat 3:1 në ndeshjen e kthimit çerekfinal të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, fitorja në “Signal Iduna Park” nuk mjaftoi për kalimin tutje, pasi skuadra katalane kishte fituar 4:0 në ndeshjen e parë dhe avancoi në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 5:3.
Para më shumë se 80 mijë tifozëve, të udhëhequr nga “muri i verdhë”, Dortmundi nisi ndeshjen me vrull dhe besim të plotë. Serhou Guirassy realizoi golin e parë nga pika e bardhë në minutën e 11-të, duke rihapur shpresat e vendasve. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.
Vetëm katër minuta pas rifillimit të ndeshjes, Guirassy gjeti sërish rrjetën për 2:0, duke çuar në ekstazë tifozët gjermanë. Në ato momente, përmbysja dukej e mundur.
Por në minutën e 54-të, fati iu kthye shpinën Dortmundit. Mbrojtësi Rami Bensebaini, në përpjekje për të larguar një top nga zona, shënoi autogol dhe i dhuroi Barcelonës një gol vendimtar, që i shkurtoi epërsinë vendasve në 2:1.
Pavarësisht këtij momenti të vështirë, Dortmundi nuk u dorëzua. Guirassy kompletoi “hat-trick”-un personal në minutën e 76-të, duke rikthyer shpresat me rezultatin 3:1. Por përkundër presionit të fundit, verdhezinjtë nuk arritën të shënojnë edhe një herë për të çuar ndeshjen në vazhdime.
Kështu, Barcelona kalon tutje dhe pret në gjysmëfinale fituesin e duelit mes Interit dhe Bayernit, ndërsa Dortmundi largohet nga ky edicion me kokën lart, pas një paraqitjeje dinjitoze dhe të zjarrtë.
Me tre golat e së martës, sulmuesi guineas Serhou Guirassy është tashmë golashënuesi më i mirë i edicionit aktual të Ligës së Kampionëve, me 13 gola në 14 paraqitje – një arritje e jashtëzakonshme për një sulmues që ka qenë në formë brilante gjatë gjithë sezonit.
