Dita vendimtare për transferimin e Harry Kane

Një prej sagave të transferimeve të verës së shpejti mund të marrë fund. E hëna është ‘D-Day’ për sulmuesin e Tottenham, Harry Kane. Delegacioni i Bayern Munichut ndodhet në Londër, ku sot do të negociojë me Daniel Levy për transferimin e Kane.

Daniel Levy refuzoi dy oferta për Kane, 70 dhe 80 milionë euro. Sot drejtuesit e Bayernit do të ofrojnë një shumë edhe më të lartë, që nëse Levy e pranon do të jetë një rekord për klubin.

Rekordi aktual mbahet nga Lucas Hernandez, për transferimin e të cilit Bayern pagoi 80 milionë euro për Atlético Madrid.

“Përpara nesh janë orët vendimtare për transferimin e Harry Kane”, shkruan gazetari i njohur i futbollit Fabrizio Romano në “Twitter”.

Herbert Hainer, presidenti i Bayernit theksoi se ata e respektojnë Levy-n si një profesionist të madh.

Siç u raportua më parë nga mediat në ishull, sulmuesi më i mirë anglez dëshiron të largohet nga Tottenham pas gati 15 vitesh.

Kane është 30 vjeç dhe në karrierën e tij ka shënuar 307 gola me 80 asistime në 514 ndeshje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *