De Ligt: Shkarkimi i Nagelsmann më befasoi

Matthijs de Ligt, mbrojtësi i Bayern Munich, pati mundësinë të shprehet për shkarkimin e Julian Nagelsmann nga roli i trajnerit të bavarezëve dhe ardhjen e mëpasshme të Thomas Tuchel.
Holandezi, dikur i Juventus-it, në një intervistë të dhënë holandezen NOS tha se ishte i befasuar nga ajo që ndodhi, por se ishte gati t’i rikthehej punës në mënyrën më të mirë të mundshme edhe me trajnerin e ri.
Duke analizuar situatën e Bayern-it, De Ligt tha: “Nuk e prisja, u befasova dhe i dërgova një mesazh. Jemi të dytët në kampionat dhe në çerekfinale të Champions League.
“Me sa duket nuk është bërë një punë mjaft e mirë, sipas drejtuesve. Mendoj se është për të ardhur keq sepse jam rritur shumë falë tij. Por në futboll gjithçka ndryshon shpejt”.
Dhe me ardhjen e Tuchel: “Tani kemi një trajner me shumë përvojë ndërkombëtare dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”. Tani i takon fushës të japë verdiktin për finalen e sezonit të bavarezëve.