Brazili përmbys Japoninë në dramë, Martinelli hero i kualifikimit në 1/8 e finales
Brazili ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës, pasi mposhti Japoninë me rezultat 2:1 në një ndeshje dramatike, të vendosur vetëm në minutat shtesë.
Japonezët kaluan të parët në epërsi në minutën e 29-të. Kaishu Sano përfitoi nga një pasim i gabuar në mesfushë, përparoi me shpejtësi dhe realizoi me një goditje të saktë me të djathtën, duke mposhtur portierin brazilian për 1:0.
Skuadra e Carlo Ancelottit reagoi fuqishëm në pjesën e dytë. Casemiro barazoi shifrat në minutën e 56-të, kur realizoi me kokë pas një asistimi të Gabriel Magalhães. Mesfushori brazilian kishte qenë pranë golit edhe dy minuta më herët.
Brazili vazhdoi presionin dhe ishte shumë afër përmbysjes në minutën e 58-të, por goditja e Vinícius Júnior u devijua nga portieri Zion Suzuki dhe u ndal në shtyllë.
Kur gjithçka po shkonte drejt vazhdimeve, erdhi momenti vendimtar. Në minutën e gjashtë të kohës shtesë, Gabriel Martinelli shënoi golin e fitores 2:1, duke shpërthyer festën e brazilianëve dhe duke siguruar kualifikimin në mesin e 16 kombëtareve më të mira të Botërorit.
Një lajm jo i mirë për Brazilin ishte dëmtimi i Casemiros, i cili u largua nga fusha në minutën e parë të kohës shtesë të pjesës së dytë, pas një problemi të dukshëm në këmbë.
Me këtë fitore dramatike, Brazili vazhdon rrugëtimin drejt trofeut, ndërsa Japonia eliminohet pas një paraqitjeje shumë dinjitoze.
