Brazili ndalet nga Maroku, Vinícius Júnior shpëton pesë herë kampionët e botës
Brazili nuk ka arritur ta nisë me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, pasi është ndalur me rezultat 1:1 nga Maroku në një ndeshje spektakolare dhe me ritëm të lartë.
Pesë herë kampionët e botës, të cilët synojnë trofeun e parë që nga viti 2002, u paraqitën dobët në minutat e parë dhe u dominuan nga përfaqësuesja marokene.
Maroku regjistroi plot 12 goditje në 30 minutat e para, ndërsa epërsinë e merituar e gjeti në minutën e 21-të. Ismael Saibari shfrytëzoi hapësirën në mbrojtjen braziliane dhe e kaloi topin mbi portierin Alisson Becker për rezultatin 1:0.
“E nisëm ndeshjen shumë keq. Duhet ta mbajmë më shumë topin dhe të lëvizim më mirë”, deklaroi pas ndeshjes Vinícius Júnior.
Brazili arriti të rikthehej në lojë vetëm 11 minuta më vonë. Vinícius kombinoi bukur me Bruno Guimarães në krahun e majtë, kaloi Neil El Aynaouin dhe me një goditje të fuqishme e të saktë mposhti portierin Yassine Bounou.
Për sulmuesin e Real Madridit ky ishte goli i dhjetë me fanellën e Kombëtares së Brazilit.
Përzgjedhësi Carlo Ancelotti pranoi se skuadra e tij ishte e tensionuar dhe e paorganizuar në fillimin e takimit.
“Skuadra ishte paksa në ankth në fillim. Kishte shumë nervozizëm dhe nuk kishim ekuilibrin e duhur. Por nuk duhet ta humbasim besimin. Kupa e Botës nuk fitohet në ndeshjen e parë”, deklaroi Ancelotti.
Në anën tjetër, trajneri i Marokut, Mohamed Ouahbi, u shpreh i kënaqur me rezultatin, por theksoi se ekipi i tij nuk duhet të entuziazmohet më shumë seç duhet.
“Jemi të kënaqur me barazimin, por nuk jemi euforikë”, tha Ouahbi.
Ndeshja në “MetLife Stadium” u ndoq nga 80 mijë e 663 tifozë, me mbështetësit brazilianë që dominuan tribunat me ngjyrën karakteristike të verdhë.
Me këtë rezultat, Brazili e vazhdoi serinë pa humbje në ndeshjet hapëse të Kupës së Botës. “Seleção” nuk ka humbur në ndeshjen e parë të një Botërori që nga viti 1934, duke regjistruar 17 fitore dhe katër barazime në 21 paraqitjet e fundit.
Brazili do ta zhvillojë ndeshjen e ardhshme të Grupit C të premten kundër Haitit në Filadelfia, ndërsa fazën e grupeve do ta mbyllë ndaj Skocisë në Miami Gardens.
Maroku, ndërkohë, do të përballet me Skocinë të premten në Foxborough, para ndeshjes së fundit kundër Haitit në Atlanta.
