Bernardo Silva: Kundër Reali na duhen gola – do të preferoja Haalandin në fushë
Kapiteni i Manchester City, Bernardo Silva, ka mbështetur sulmuesin Erling Haaland që të startojë në përballjen vendimtare kundër Real Madrid në UEFA Champions League.
City duhet të përmbysë humbjen e rëndë nga ndeshja e parë në Spanjë (0:3), dhe Silva thekson se prania e sulmuesit norvegjez është shumë e rëndësishme për ekipin.
“Natyrisht që do të preferoja ta kemi Erlingun në fushë. Kur e ke Erlingun në fushë, shënon gola – dhe ne kemi nevojë për gola nesër”, u shpreh mesfushori portugez.
Silva shtoi se skuadra nuk e ka humbur besimin, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së parë.
“Futbolli na ka mësuar se shumë gjëra mund të ndodhin. Edhe pse rezultati në Madrid ishte shumë i keq, ne do të luftojmë deri në fund”
Ai beson se ndeshja në shtëpi mund t’i japë Cityt një mundësi për rikthim.
“Kundërshtari është shumë i fortë, por në shtëpi mund të ndodhin shumë gjëra. Do të përpiqemi të krijojmë atmosferën e duhur që kjo të ndodhë”
Ndeshja e kthimit mes Manchester City dhe Real Madrid zhvillohet më 17 mars.
