Barcelona godet sërish në merkato, Karim Adeyemi vishet “blaugrana”
Barcelona ka kompletuar përforcimin e dytë të afatit kalimtar veror, duke siguruar shërbimet e një prej sulmuesve më të shpejtë dhe më premtues të futbollit gjerman.
Klubi katalanas ka zyrtarizuar transferimin e Karim Adeyemit nga Borussia Dortmundi, me sulmuesin 24-vjeçar që ka firmosur kontratë pesëvjeçare dhe do të jetë pjesë e projektit të ri të trajnerit Hansi Flick për sezonin 2026/27.
Adeyemi bëhet afrimi i dytë i Barcelonës këtë verë, pas ardhjes së anglezit Anthony Gordon, duke i shtuar skuadrës më shumë alternativa në repartin ofensiv.
Për kartonin e sulmuesit gjerman, Barcelona do t’i paguajë Dortmundit 22 milionë euro, ndërsa marrëveshja parasheh edhe 7 milionë euro të tjera në formë bonusesh, të varura nga paraqitjet dhe objektivat e arritura.
Largimi nga Dortmundi vjen pas katër sezoneve në “Signal Iduna Park”, ku Adeyemi u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës verdhezi. Edhe pse kishte kontratë deri në vitin 2027, lojtari kërkonte një sfidë të re dhe Barcelona ishte destinacioni që ai preferonte.
Një faktor i rëndësishëm në këtë transferim ishte edhe Hansi Flick, i cili e njeh mirë Adeyemin nga puna me Kombëtaren e Gjermanisë. Trajneri katalanas beson se shpejtësia, driblimi dhe aftësia për të luajtur në disa role të sulmit do t’i japin Barcelonës më shumë fleksibilitet taktik.
Në “Camp Nou”, Adeyemi pritet të sjellë konkurrencë të fortë në krahët e sulmit, ku do të kërkojë minuta përkrah yjeve si Lamine Yamal. Barcelona shpreson që në ambientin e ri gjermani të rikthejë formën e tij më të mirë, pasi vitet e fundit është penguar edhe nga disa probleme fizike.
Me këtë lëvizje, Barcelona vazhdon ndërtimin e një skuadre të re nën drejtimin e Flick, duke kombinuar talentin e gjeneratës së re me lojtarë të aftë për të bërë diferencën menjëherë.
