Ballkani fitues i Superkupës, mposht Llapin në Turqi

Skuadra kampione në fuqi, Ballkani e ka nisur mbarë vitin 2023, pasi ka fituar trofeun e Superkupës së Kosovës. Në ndeshjen e zhvilluar në Turqi, ku të dyja skuadrat janë në fazën përgatitore, skuadra portokallezi nga Suhareka e ka mposhtur skuadrën fituese të Kupës së Kosovës në edicionin e kaluar, Llapin, me rezultat të ngushtë, 1:0. Golin e fitores dhe të trofeut të Superkupës për Ballkanin e realizoi Lumbardh Dellova, me gjuajtje me kokë, pas harkimit të shkëlqyeshëm të Armend Thaqit. Llapi që nga minuta e 28-të luajti me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Maliqit pas dy kartonëve të verdhë. Në minutat e fundit Llapi përkundër deficitit numerik në fushë bëri presion për të barazuar rezultatin, por nuk e arriti një gjë të tillë, ndonëse në një rast kërkoi edhe penallti, por që gjyqtari turk nuk e akordoi një të tillë. Krejt në fund pati edhe një rrëmujë në fushë, pas një ndërhyrje të ashpër të Riveras ndaj Emerllahut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *