Ancelotti: Neymar i gatshëm për Skocinë, por ende pa vendim për aktivizim
Neymar është rikthyer në dispozicion të Brazilit për ndeshjen e tretë në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026 ndaj Skocisë, por ende mbetet e paqartë nëse sulmuesi do të marrë minuta në fushë.
Trajneri i Seleçaos, Carlo Ancelotti, konfirmoi se 34-vjeçari është stërvitur normalisht gjatë javës dhe është pjesë e planeve të skuadrës, por nuk dha garanci për aktivizimin e tij në ndeshjen që zhvillohet në Majemi.
“Neymar është i disponueshëm. Ai ka punuar gjatë gjithë javës dhe mund të jetë në dispozicion për ndeshjen. Jemi shumë të kënaqur që është kthyer, sepse me cilësinë e tij mund ta ndihmojë ekipin,” deklaroi Ancelotti.
Sulmuesi brazilian është rikthyer në kombëtare pas pothuajse tre vitesh mungesë, por ende nuk ka debutuar në këtë Botëror për shkak të një dëmtimi në pulpë. Sipas Ancelottit, gjendja e tij po përmirësohet çdo ditë.
“Ai ka punuar seriozisht për t’u rikuperuar sa më shpejt. Edhe nëse nuk luan, sjell përvojë dhe ndihmon shumë në grup, veçanërisht lojtarët e rinj,” shtoi trajneri italian.
Brazili ka nisur turneun me barazim 1:1 ndaj Marokut dhe fitore 3:0 kundër Haitit, duke u pozicionuar mirë në Grupin C para ndeshjes së fundit.
“E dimë peshën që ka kjo fanellë në Kupën e Botës. Ndeshja e parë nuk ishte ideale, e dyta më e mirë, dhe jemi të bindur se e treta do të jetë më e mira,” u shpreh Ancelotti.
