Ambasadori Hovenier e falënderon Ademin për letër-urimin për kualifikimin e SHBA-së

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka falënderuar presidentin e FFK-së, Agim Ademi për letrën e urimit për fitoren e mbrëmshme ndaj Iranit dhe kualifikimin në 1/8 e finales në Kupën e Botës “Katari 2022”. Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, ku e ka publikuar edhe letrën e Ademit, ambasadori amerikan ka shkruar: “Faleminderit presidentit të FFK-së, Agim Ademi për letrën e ngrohtë të urimit për fitoren e madhe të djeshme të Kombëtares së SHBA-së. Jam i lumtur për kualifikimin e SHBA-së dhe do t’i brohoras këtë fundjavë nga Kosova”, ka shkruar Hovenier. Ambasadori amerikan njihet si mbështetës i madh i futbollit kosovar. Ai është i pranishëm në stadium po thuajse në të gjitha ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, por edhe në ndeshjet e ekipeve kosovare në garat evropiane si dhe në ndeshjet e FC Prishtina. E portali Futbolli.info mëson se kreu i FFK-së u ka dërguar letra urimi edhe Federatave të Futbollit të SHBA-së, Anglisë, Holandës dhe Senegalit për kualifikimin në fazën e 1/8 së finales së Botërorit.
