Presidenti Ademi në darkë me Çeferinin dhe sheikun e PSG-së në Tiranë: Diskutime për të ardhmen e futbollit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka marrë pjesë në një darkë të veçantë të organizuar në Tiranë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në kuadër të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që për herë të parë u mbajt sot në Shqipëri.
Në këtë darkë, Ademi u takua me presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, dhe presidentin e PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, duke e cilësuar gjithmonë kënaqësi të ndajë momente me liderë të tillë të futbollit evropian.
“Kryefjala e diskutimit ishte e ardhmja dhe zhvillimi i futbollit në të gjitha vendet anëtare të UEFA-s dhe forcimi i rolit të këtij sporti në nivel global”, ka theksuar Ademi në postimin e tij në Instagram.
Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë konsiderohet një ngjarje historike për futbollin shqiptar dhe rajonin, duke reflektuar rëndësinë gjithnjë e më të madhe të futbollit në Ballkan.
