June 18, 2025

Aganspahiq shkëlqeu ndaj Feronikelit 74, shpallet “Ylli i Javës” në Superligë

Almir Aganspahiq është shpërblyer me çmimin “Ylli i Javës” në kuadër të javës së 32-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, pas një paraqitjeje brilante në fitoren dramatike të SC Gjilanit kundër FC Feronikeli 74.

Ky çmim ndahet nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, dhe fituesi përzgjidhet nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Skënder Kapra, Rifat Nasufi dhe Agim Xhakolli.

Aganspahiq ishte protagonist absolut në këtë përballje, duke realizuar një ‘hat-trick’ vendimtar dhe duke i dhënë ekipit të tij një fitore me përmbysje 3:2, në një ndeshje ku Gjilani ishte dy herë në disavantazh.

Pas marrjes së çmimit, sulmuesi i SC Gjilanit u shpreh i lumtur për vlerësimin e marrë:

“Së pari dua të falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin për ndihmën e tyre që të arrij këtë çmim. Ishte një ndeshje shumë emocionuese. Gjatë gjithë lojës ishim në disavantazh, por në pjesën e dytë u treguam më ofanzivë, më agresivë dhe arritëm të shënojmë tre gola. Jam shumë i lumtur për këtë, veçanërisht për dy golat e parë si dhe për golin vendimtar në sekondat e fundit të ndeshjes.”

Aganspahiq gjithashtu theksoi se skuadra është ende në garë për objektivat sezonalë:

“Ende jemi në luftë, ende po luftojmë për objektivat tona. Po luftojmë për vendin që na çon në Evropë dhe do të japim maksimumin për ta arritur atë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *