Ademi në lamtumirën e fundit për Qiron: Njohuritë e tij mbi futbollin do të jenë frymëzim për brezat e rinj

Kroacia dhe kryeqyteti Zagrebi sot ia dhanë lamtumirën Mirosllav Qiro Blazheviqit, ‘trajnerit të të gjithë trajnerëve’. Në mbledhjen përkujtimore të mbajtur në sallën e koncerteve “Vatroslav Lisinski” në Zagreb, në mesin e krerëve shtetit kroat, drejtuesve dhe personaliteteve të futbollit kroat e të shumë vendeve tjera ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Ky i fundit përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur edhe një herë përkujtimin e tij për legjendën kroate.
Postimi i plotë i Ademit:
Në mesin e shumë personaliteteve të shquara të institucioneve kroate dhe legjendave të futbollit për t’ia dhënë lamtumirën trajnerit që la gjurmë në botën e futbollit, Mirosllav Qiro Bllazheviq.
Qiro ishte dhe mbetet “trajneri i të gjithë trajnerëve”, derisa ishte shumë i dashur dhe i veçantë edhe për komunitetin e futbollit në Kosovë, për dashurinë dhe pasionin që shfaqi për zhvillimin e futbollit tonë sa ishte trajner i Prishtinës.
Në emër të komunitetit të futbollit në Kosovë u shpreha ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes, dy vajzave dhe djalit të tij, por edhe presidentin të Federatës Kroate, Marijan Kustiq dhe shumë ish-lojtarëve të tij, në mesin e të cilëve ishte edhe Ardian Kozniku.
Qiro do të mbahet mend për karizmin dhe rezultatet e tij, derisa njohuritë e tij mbi futbollin do të jenë frymëzim për brezat e rinj.
Lamtumirë Legjendë!
Faleminderit për kontributin e dhënë për futbollin e Kosovës!