Ademi: Mos ta harrojmë gjeneratën e sakrificës që karrierën e vet e flijoi për futbollin kosovar
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është kontribues në gjeneratën e sakrificës kur ishte pjesë e klubit të futbollit Kosova e Prishtinës.Ademi përmes rrjetit social ka thënë: “Mos ta harrojmë gjeneratën e sakrificës”.
Gjeneratë që la fusha me tepih, la ofertat e majme, për të luajtur në fusha të improvizuara, për të mbajtur gjallë futbollin dhe sportin e Kosovës, ku çdo ditë ishin të kërcënuar nga okupatori serb në vitet 1991 – 1999, shkruan Demokracia.
“Mos ta harrojmë gjeneratën e sakrificës që karrierën e vet e flijoi për futbollin kosovar.Shumë prej tyre kishin mundësinë të shkonin edhe jashtë vendit për të vazhduar karrierën, por ishin të vendosur të bënin sakrificë dhe të shkruanin histori si lojtarët e parë të futbollit të pavarur kosovar. Një gjë të tillë ata e bënë me krenari.Faleminderit që të gjithë së bashku bëmë rezistencë sportive. Ky ishte një rast unik në të gjithë botën e futbollit. Kjo foto e realizuar nga fotografi Tarik Pagarusha paraqet lojtarët e asaj periudhe kur pas ndeshjes pastroheshin në lum. Kjo ishte zhveshtorja ose dushi i futbollistëve të atyre viteve. Prandaj, le të vlerësojmë këtë periudhë, duke kujtuar përpjekjen dhe guximin e këtyre lojtarëve për ta mbajtur gjallë futbollin e Kosovës”, ka shkruar Agim Ademi në profilin e tij në instagram.
