April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 23, 2026

Ademi kujton 35 vjetorin e mbylljes së RTP-së: Ishte promotor i futbollit

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar 35-vjetorin e mbylljes së dhunshme të Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP) në vitin 1990 nga regjimi serb, duke theksuar rolin kyç që ky medium kishte në promovimin e futbollit dhe sportit në Kosovë. “Në veçanti për futbollin, RTP luajti rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe promovimin e tij në Kosovë. Zërat e komentatorëve si Veli Vraniqi, Gani Ajeti, Osman Disha, Kemajl Çarkaxhiu, Hamit Krasniqi, Fatmir Bujupi, Agim Kasapolli (në TV), e Azem Brovina, Agim Binaku, Gani Kosumi, Lulzim Shala (në radio) por edhe shumë të tjerë, ishin më shumë se informim” theksoi Ademi në postimin e tij.

Ai kujtoi kësisoj me mirënjohje komentatorët legjendarë dhe gazetarët që i dhanë jetë ekranit dhe radios, në një kohë kur sporti ishte njëra nga pak dritat në realitetin e zymtë të viteve ’80 dhe ’90. Mbyllja e RTP-së, sipas tij, nuk e ndali dot frymën e sportit dhe as zërin e Kosovës – përkundrazi, ajo ndezi një rezistencë të re që kulmoi me lirinë dhe ringjalljen e mediave në pasluftë.

Më poshtë shkrimi i plotë i presidentit Agim Ademi:

35 vjet pa RTP-në, zëri dhe ekrani që promovoi rritjen e futbollit

Në verën e vitit 1990, kur bota ishte e përqendruar në Kupën e Botës në futboll që po zhvillohej në Itali, në Kosovë ndodhi një nga aktet më të rënda ndaj informimit dhe identitetit tonë. Radiotelevizioni i Prishtinës (RTP), u mbyll me dhunë nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit në kuadër të instalimit të masave të dhunshme në çdo institucion të asaj kohe në Kosovë, duke vendosur terr informativ mbi një popull të tërë që tashmë përballej me shtypje sistematike.

Na u mor e vetmja dritare ku informoheshim, argëtoheshim, e ku ndiqnim ngjarjet sportive që i prisnim me padurim. Por më shumë se kaq, ishte një përpjekje për të na zhdukur nga ekrani, nga eteri dhe nga kujtesa.

RTP nuk ishte thjesht një medium, ishte pjesë e jetës së përditshme. Në veçanti për futbollin, RTP luajti rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe promovimin e tij në Kosovë.

Zërat e komentatorëve si Veli Vraniqi, Gani Ajeti, Osman Disha, Kemajl Çarkaxhiu, Hamit Krasniqi, Fatmir Bujupi, Agim Kasapolli (në TV), e Azem Brovina, Agim Binaku, Gani Kosumi, Lulzim Shala (në radio) por edhe shumë të tjerë, ishin më shumë se informim. Ata ishin emocioni e lidhja jonë me sportin dhe botën.

Zëri i tyre shoqëronte çdo garë, çdo fitore apo sfidë të sportistëve tanë në Kosovë, Evropë e më gjerë. Mbyllja e RTP-së më 1990 nuk mundi ta shuante zërin e Kosovës. Përkundrazi, ajo shënoi fillimin e një rezistence të re, të heshtur për një kohë, por të zëshme më vonë. Pas luftës, në ndërtesën e njëjtë, lindi Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), duke trashëguar misionin dhe vlerat e RTP-së, por në kushte të lirisë dhe shtetësisë, e më pas edhe shumë radio e televizione, që po e vazhdojnë misionin e promovimit të sportit dhe futbollit në veçanti.

Sot, 35 vjet më pas, kujtojmë me nder të gjithë ata që e bënë RTP-në një emblemë të rezistencës kulturore dhe profesionale. Kujtojmë gazetarinë e guximshme, redaktorët, komentatorët e pasionuar dhe teknikët e përkushtuar që e mbajtën gjallë zërin e Kosovës edhe kur ishte më së vështiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *