Ademi bën homazhe në Prekaz: Burim i pashtershëm frymëzimi për çdo shqiptar
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, pjesëtarë të gjeneratës së artë të futbollit të Kosovës dhe tifozët “Dardanët”, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz.
Këto homazhe u zhvilluan pas kthimit të Ademit nga mbledhja e Komitetit HatTrick në UEFA. Me këtë rast, në Prekaz u përkujtuan me respekt të thellë të gjithë të rënët e familjes heroike Jashari dhe dëshmorët e kombit.
Ademi theksoi se ky vend i shenjtë përfaqëson sakrificën më të madhe për lirinë dhe shtetin e Kosovës dhe mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi për çdo shqiptar.
Postimi i plotë i Ademit në rrjetet sociale:
Pas kthimit nga mbledhja e Komitetit HatTrick në UEFA, sot, së bashku me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, gjeneratën e artë të futbollit të Kosovës dhe “Dardanët” bëmë homazhe në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz, ku përkujtuam me respekt të thellë të gjithë të rënët e familjes heroike Jashari dhe dëshmorët e kombit. Ky vend i shenjtë për çdo shqiptar, përfaqëson sakrificën më të madhe për lirinë dhe shtetin tonë. Ai mbetet burim frymëzimi dhe një kujtesë e përhershme për çmimin e lartë të lirisë. Vizita në Prekaz, aty ku qëndresa e familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari u shndërrua në simbol të lirisë, është gjithmonë një moment reflektimi e përgjegjësie. Ajo na rikujton se shteti ynë është ndërtuar mbi sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve. Në mesin e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës kishte edhe shumë futbollistë të talentuar të asaj kohe, të cilët ëndrrat e tyre në fushën e lojës i lanë për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut. Sot, me krenari, shumë stadiume e fusha futbolli mbajnë emrat e tyre, duke i bërë ata pjesë të përjetshme të historisë së sportit dhe të shtetit tonë. Prandaj, është detyrë e jona që me përkushtim, unitet dhe punë të palodhshme ta zhvillojmë Kosovën në çdo fushë, përfshirë edhe sportin, duke e nderuar çdo ditë sakrificën e atyre që bënë të mundur lirinë tonë. Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të Kosovës!
