Kapra: Përballje shumë e vështirë ndaj Ludogorets, kemi besim në përvojën e fituar nga viti i kaluar

Ballkani do të luajë në Champions League ndaj Ludogorets në fazën e parë të kualifikimeve për garën më prestigjioze për klube në Evropë.
Në rast se Ballkani kalon këtë raund, atëherë do përballet me fituesin e takimit Olimpija Ljubljana – Valmiera.
Lojtari i klubit nga Suhareka, Albin Kapra, ka folur për ‘GazetaBlic Sport‘ ku ka komentuar në lidhje me shortin e fortë që ka përzgjedhur fati për skuadrën e Ballkanit.
“Shorti është i vështirë në letër duke marrë parasysh një ekip si Ludogoretsi që është shpallur 12 vite rresht kampion në Bullgari dhe ka qenë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe atë të Europa League , do të jetë e vështirë në fushë, por me grupin që kemi gjithçka mund të jetë e mundur dhe të kalojmë në fazën e dytë .
Po jemi skuadra e vetme kosovare që kemi prekur grupet e një kompeticioni evropian , kjo na jep motivin dhe shpresën se do bëjmë më shumë se vitin e kaluar duke besuar në përvojën qe kemi fituar dhe normalisht duke falenderuar presidentin stafin dhe gjithë grupin e futbollistëve që po bëjnë maksimumin për të arritur suksese edhe më të mëdha së bashku”, tha Kapra për ‘GazetaBlic Sport’.
Kujtojmë që ndeshjet mes Ballkanit dhe Ludogorets zhvillohen me datat 12 dhe 19 korrik.