July 2024
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
July 2, 2024

Zyrtari i lartë i UEFA-së vëzhgoi nga afër punën e FFK-së në “Elite Youth Development Programme U15”

3 min read

Jean Francois Domergue, shef i “Elite Youth Development Program U15” në UEFA, ka qëndruar për një vizitë katërditore në Kosovë, ku ka ndjekur nga afër punën e këtij programi që tashmë zhvillohet prej tre vitesh në vendin tonë.

Domergue, i cili e ka nën mbikqyrje këtë program në 55 vendet anëtare të UEFA-së, pas vëzhgimit të aktiviteteve në Kampin Nacional në Hajvali, ku gjatë katër ditëve u zhvilluan ndeshjet ndërmjet regjioneve të kësaj grupmoshe dhe njoftimit me sistemin e përzgjedhjes së lojtarëve e trajnimit të të këtij programi, ka dhënë edhe këshillat e nevojshme se si duhet vepruar tutje për t’u avancuar edhe më shumë ky projekt.

Ai ka përgëzuar Federatën e Futbollit të Kosovës për punën e deritanishme në këtë program dhe angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve, teksa ka mbetur i mahnitur me mënyrën se si ekipet janë paraqitur me uniforma unike, por edhe me përkushtimin e talenteve në fushën e gjelbër.

Domergue ka kërkuar që në të ardhmen dinamika e programit të rritet edhe më shumë dhe të jetë në përputhje me risitë e futbollit në të gjitha aspektet.

Gjatë kësaj vizite me praninë e tij mysafirin nga UEFA, por edhe pjesëmarrësit e këtij programi i ka nderuar edhe përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse, me të cilin Domergue ka qenë bashkëlojtar.

Ata së bashku para futbollistëve folën për rëndësinë që ka ky program në zhvillimin e tyre dhe në krijimin e një karriere të suksesshme. Domergue e Giresse ndanë eksperiencat e tyre në fushën e futbollit dhe i inkurajuan të gjithë pjesëmarrësit të punojnë shumë për të arritur sukses në karrierën e tyre.

Domergue vuri në pah se krahas punës në këtë program, futbollistët e kësaj grupmoshe duhet të bëjnë punë sa më profesionale edhe në klubet e tyre, në mënyrë që të sigurohet zhvillimi i duhur i tyre dhe avancimi në nivele më të larta të futbollit.

Zyrtari i UEFA-së theksoi se programi “Elite Youth Development Program U15” është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të futbollit të të rinjve në Kosovë, teksa u shpreh se për t’i përmbushur objektivat e tij, është e nevojshme që federata, klubet dhe trajnerët të punojnë ngushtë së bashku.

Ai gjithashtu tha se Kosova është në rrugën e duhur për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm të zhvillimit të të rinjve dhe se me angazhimin dhe punën e vazhdueshme ka potencial për të prodhuar talente të mëdha.

Në anën tjetër, përgjegjësi i këtij programi në FFK, Edmond Rugova, e ka falënderuar mysafirin nga UEFA për vizitën dhe për sugjerimet e këshillat e dhëna, me qëllim që ky projekt të jetë edhe më i suksesshëm në të ardhmen. Rugova ka theksuar se Kosova ka talente të jashtëzakonshme, por që është e nevojshme që t’u kushtohet kujdesi i mjaftueshëm dhe puna profesionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *