Ademi uron KFF Presingun për titullin e kampionit dhe ngjitjen në Superligë

Skuadra nga Vitia, Presingu ka festuar sot titullin e kampionit në Ligën e Parë të femrave dhe inkuadrimin në Superligë. Këtë sukses ato e arritën falë fitores së sotme në përballje me konkurrentin direkt, Vizionin e Ferizajt, në ndeshjen e fundit të kampionatit.

E për këtë sukses vashat vitiase i ka përgëzuar edhe i pari i FFK-së, Agim Ademi, në një postim në Facebook. Ai e ka vlerësuar të qëlluar vendimin e KE të FFK-së për formimin e Ligës së Parë edhe tek femrat, pasi kjo ka ndikuar në rivalitet më të madh ndërmjet skuadrave, gjë të cilën e dëshmoi edhe ndeshja e sotme.

Postimi i plotë i Ademit:

Urime KFF Presingu titulli i kampionit në Ligën e Parë të femrave!

Vendimi i KE të FFK-së për ta krijuar Ligën e Parë nga ky edicion ka sjellë garë më interesante në futbollin e femrave. Në fakt, titulli i kampionit në këtë ligë u vendos pikërisht në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku vajzat e Presingut nga Vitia ishin më të mira se ato të Vizionit nga Ferizaj, në përballjen direkte për titull, duke fituar në fund, me rezultat 2:1.

Si kampion i kësaj lige, KFF Presingu siguroi inkuadrimin në Superligë për edicionin e ardhshëm, derisa Vizionit i mbetet të shpresojë që një gjë të tillë ta arrijë përmes barazhit. Përgëzoj futbollistet, stafin e trajnerëve dhe drejtuesit e KFF Presingu për këtë sukses dhe shpresoj se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe pasion për t’u përfaqësuar denjësisht edhe në Superligë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *