Ballkani mposht Dritën në Gjilan dhe i rikthehet garës për titull të kampionit

Ballkani e ka mposhtur Dritën me rezultat 2-1 në kuadër të javës së 33-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ndeshjen më mirë e nisi kampioni në fuqi, që rrezikoi pas vetëm dy minutash lojë përmes një goditje nga këndi.

Kaluan vetëm 11 minuta nga ndeshja dhe Ballkani kaloi në epërsi me golin e Meriton Korenicës, ndërsa Nazmi Gripshi ishte asistues.

Në minutën e 24-të, Korenica lëshoi një rast ideal për gol, pas një pasimi të saktë të Albion Rrahmanit.

Derisa po përfundonte pjesa e parë, Drita ia doli t’i barazonte shifrat në 1-1 me golin e Muharrem Jasharit, ndërsa Ilir Blakëori ishte asistuesi.

Në pjesën e dytë, skuadra gjilanase rrezikoi me anë të Blend Baftiut në minutën e 54-të, por gjuajtja e tij shkoi mbi portë.

Ekipi nga Suhareka nuk u dorëzua deri në fund dhe ia doli ta rikthente epërsinë me golin e Lumbardh Dellovës, pas asistimit të Armend Thaqit nga korneri.

Pas javës së 33-të, Drita dhe Ballkani kanë pikët e njëjta (66) dhe lufta për titull duket se do të jetë e hapur deri në ndeshjen e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *