Devolli thotë se Drenica do të kthehet më e fortë

Trajneri i Drenicës, Bledar Devolli, ka thënë se ndjejnë keqardhje për këtë edicion, por ka theksuar se “kuqezinjtë” do të kthehen të fortë në edicionet e ardhshme.
“Normal, ndjejmë dhimbje. Nuk na vjen mirë askujt, nga i pari deri te i fundit, por ndodhi. Shpresojmë që çdo e keqe e ka një të mirë nga mbrapa. Shpresoj të bëjmë një ekip të mirë dhe organizim të mirë. Edhe drejtuesit janë vënë në lëvizje dhe shpresojmë që çdo gjë të shkojë mirë e të kthehemi sa më shpejtë në Superligë”, ka thënë fillimisht Devolli.
Ai foli më pas për problemet e Drenicës në këtë edicion.
“Në janar na u vështirësuan punët shumë. Kam ardhur te Drenica dhe vetëm në ndeshjen e parë me Ferizajn ishim të plotë në formacion. Pas ndeshjes me Ferizajn patëm probleme me shumë dëmtime. Ka pasur shumë probleme, që nga faza përgatitore, ndërsa probleme financiare nuk kemi pasur shumë. Në janar ka pasur merkato të dështuar, nuk janë afruar lojtarë me cilësi për ta nxjerrë skuadrën nga zona ku ishte. Këto kanë qenë problematikat që Drenica ka rënë nga kategoria”, është shprehur ai.
Devolli bëri me dije se do të vazhdojë të jetë në krye të Drenicës, por ende nuk ka asgjë zyrtare.
Me humbjen nga Trepça ’89, Drenica për herë të parë në histori nuk do të jetë pjesë e Superligës sezonin e ardhshëm.