Messi i kërkon falje PSG-së

Superylli i Paris Saint-Germainit, Lionel Messi, ka dalë me një video-mesazh pas pezullimit nga klubi, pasi shkoi në vizitë në Arabi pa lejen e klubit. Ai i ka kërkuar falje bashkëlojtarëve dhe ka thënë se po pret vendimin e klubit.
Në një video të postuar në Instagram Messi ka thënë se “ka menduar se ka ditë të lirë, pas ndeshjes, siç ka ndodhur gjithmonë”.
“E kam organizuar këtë vizitë dhe s’mund ta anuloja. Tashmë e kam anuluar. I kërkoj falje bashkëlojtarëve dhe po pres se çka do të bëjë klubi”, ka thënë Messi.
Më 2 maj, Messi u suspendua për dy javë nga Paris Saint-Germaini, pasi udhëtoi për në Arabi Saudite pa lejen e klubit. Udhëtimi erdhi pas humbjes së PSG-së nga Lorienti, të dielën, në të cilën ndeshje argjentinasi luajti 90 minuta.
Messi nuk do të udhëtojë dhe nuk do të luajë për kampionin francez gjatë periudhës dyjavore të suspendimit.
Kontrata dyvjeçare e 35-vjeçarit me PSG-në përfundon në verë.
Messi ka shënuar 31 gola dhe ka kontribuuar me 34 asistime në 71 ndeshje në të gjitha garat për PSG-në. Ka fituar titullin e kampionit të Francës në edicionin e kaluar. Ai do të mungojë në ndeshjet ndaj Troyesit dhe Ajaccios.
Pesë xhiro para fundit të Ligue 1, PSG-ja udhëheq me pesë pikë më shumë se përcjellësi i parë dhe është në rrugë të mirë për ta fituar titullin e nëntë në 11 edicionet e fundit.