FFK mirëpret inicimin e procedurës disiplinore të FIFA-s ndaj FF të Serbisë

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar pas nisjes së hetimeve nga FIFA ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë.
“Jemi të lumtur të shohim reagimin e shpejtë të FIFA-s, me rastin e fillimit të hetimit kundër Federatës së Futbollit të Serbisë pas shfaqjes së banerit me hartën e Kosovës me flamurin serb brenda saj dhe me mesazhe urrejtje dhe luftnxitëse në zhveshtoren e përfaqësueses serbe dhe në stadium, në ndeshjen ndërmjet Brazilit dhe Serbisë, në kuadër të Kupës së Botës në Katar”, thuhet në publikimin e FFK-së.
Tutje FFK ka theksuar se nga FIFA ka marrë konfirmimin për pranimin e ankesës dhe njëherësh “vlerësimin e tyre të lartë për FFK-në, që përkushtohet për ruajtjen e integritetit e reputacionit të futbollit dhe që ankesa jonë tregon përkushtimin tonë në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të cilat i afirmon FIFA”.
“Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me organet përkatëse të FIFA-s për çdo informatë ose dokument shtese nëse kanë nevojë lidhur me hetimin e këtij rasti. Po ashtu, si FFK do jemi çdoherë të gatshëm të ruajmë dinjtetin e futbollit dhe reputacionin e Kosovës, duke reaguar dhe vepruar konform mekanizmave të FIFA-së dhe UEFA-s, në të cilat bëjmë pjesë”, thuhet tutje në publikimin e FFK-së.