Kingu i Polonisë prish festën e ‘Plisave’ në sekondat e fundit
Sigal Prishtina nuk ka arritur ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas në ndeshjen e parë çerekfinale të ENBL League ndaj ekipit nga Polonia, King Szczecin.
Dueli i luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, përfundoi pa fitues – 64:64.
Kështu që, ekipi që do të kualifikohet në plejofin e kësaj lige, do të përcaktohet në ndeshjen e kthimit që luhet më 20 mars në Poloni.
E në këtë ndeshje, skuadra që fiton e siguron kalimin tutje.
Në përballjen e luajtur në kryeqytet, ndeshja ishte e fortë dhe të dyja skuadrat që ishin të fokusuara në mbrojtje dhe asnjëra nuk arrinte të shkëputej.
Çereku i parë, përfundoi 13:13 kurse të dytin Prishtina e fitoi me një pikë epërsi 9:8. Prishtina e fitoi edhe periudhën e tretë (21:29), por ekipi mysafir e siguroi barazimin në dhjetë minutat e fundit, që i fitoi me tri pikë dallim (24:21).
Në fakt, ishte Mateusz Kostrezewski, ai që u kujdes për barazim, pasi në aksionin e fundit ishte i saktë për tri pikë për t’i dhënë fund dramës në palestrën që ishte e mbushur me tifozë.
Kostrezewski ishte më i dalluari tek ekipi polak me 18 pikë të shënuara, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe Phil Fayne (13) e Zac Cuthbertson (12).
Edhe te Prishtina, tre lojtarë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, ndërsa më të dalluarit ishin Both Gatch e Derrick Wilson.
Gatch pati 19 pikë kurse Wilson shtoi 14 sosh.
Për Prishtinën, ky është edicioni i parë që po paraqitet në këtë ligë, ndërsa në çerekfinale avancoi pasi përfundoi e katërta në fazën e grupeve./Koha.net/
