Daja: Kur vuan fitorja është më e bukur
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, pas fitores së mundimshme ndaj Drenicës, 2:1, ka theksuar se fitoret e tilla me vuajtje janë edhe më të bukura.
“Kemi marrë një gol nga një nisje në gjysmën e fushës së kundërshtarit. Duhet të ishim më të vëmendshëm. Sigurisht që futbolli i ka edhe këto. Kemi marrë lojën më pas nën kontroll, duke parë që kundërshtari lejoi hapësira. Kemi pasur momente të rrezikshme para portës. Ne nuk dorëzohemi. Por ne momentet që minutat kalojnë dhe kur me gjithë kontingjentin kërkohet të dalësh përpara dhe nuk lë hapësira prapa, do të thotë se ekipi ka vepruar mirë. Djemtë kanë dhënë gjithçka për të fituar. Fitorja me vuajtje është edhe më e bukur”, ka thënë fillimisht trajneri Daja pas ndeshjes.
Ballkani fitoi falë dy golave të qendërsulmuesit, Albion Rrahmani. Rrahmani në fillim të stinorit pranveror po kalon formë të shkëlqyer. Në fitoren 4:2 të xhiros së kaluar në udhëtim te Malisheva, Rrahmani realizoi “hat-trick” ndaj ish-skuadrës. Ka shkuar në kuotën e 12-të golave.
“Gjithmonë do ta kemi një golashënues. Vjet kishim Ermal Krasniqin dhe ai po bën mirë edhe te skuadra ku ka shkuar. Tash e kemi Rrahmanin. Por ai po shërbehet mirë edhe nga Korenica dhe Gripshi, Thaqi e Potoku nga krahët, të cilët e kanë përkrahur shumë mirë dhe i kanë dhënë topa të mirë. Rrahmani shënimin e golave e ka në ADN-në e vet. Këto gola janë meritë e ekipit, por ai i ka edhe momentet individuale”, është shprehur Daja.
