Rrëfehet ish-bashkëshortja e Dani Alves: Më ka trajtuar si mbretëreshë. A e vë dorën në zjarr për të? Edhe të gjithë trupin…
Dinorah Santana është nëna e dy fëmijëve të Dani Alves. Ajo ishte gruaja e tij e parë dhe gjithashtu menaxherja e brazilianit për një kohë. Tashmë ndodhet në Brazil dhe ka dhënë një intervistë për ‘Sport’, në të cilën i beson pafajësisë së ish-bashkëshortit. Kujtojmë se mbrojtësi brazilian ndodhet në burg që prej 20 janarit, i akuzuar për për**unimin e një vazje të re 23-vjeçare në një klub nate të Barcelonës.
Pavarësisht se ishin të divorcuar, Dani Alves dhe Dinorah vazhduan të kishin një marrëdhënie të mirë, me dy fëmijët që i bashkojnë. “Askush që e njeh Danin, që e do, që është pjesë e jetës së tij, nuk mund të ndihet mirë për shkak të situatës që po ndodh.
Ne nuk besojmë në atë që po ndodh. Është e pabesueshme. As në makthin më të keq nuk mund ta imagjinonim diçka të tillë. Nuk jemi mirë as unë dhe as fëmijët. Po bëhet shumë e komplikuar çdo ditë që kalon”, – tha ajo në këtë intervistë.
Fëmijët e Alves dhe Dinorah janë 16 dhe 15 vjeç. Ish-gruaja dhe agjentja e lojtarit brazilian pranon se po kalojnë një kohë shumë të keqe pas arrestimit të babait të tyre: “Po kalojnë një kohë të keqe, sepse nuk mund ta shohin Danin. Jemi duke programuar udhëtimin për të shkuar në Spanjë kur të dalë data e seancës gjyqësore. Do të shkojmë ta shohim atje nëse del nga burgu.
Njëkohësisht do të vizitojmë shkollat, sepse do të shkojmë në Barcelonë”. Dinorah pranon se do të transferohen në Barcelonë, sepse fëmijët e tyre kishin synim ta bënin universitetin atje dhe se pas gjithë kësaj do të spostohen në Spanjë në fund të muajit.
Pikërisht përmes një gazetari, Dinorah mësoi se diçka kishte ndodhur në atë klub nate të Barcelonës më 30 dhjetor: “Ai më telefonoi në rast se do të donim të flisnim për atë që kishte ndodhur një natë më parë në ‘Sutton’. I telefonova Danit, por nuk e kapa dot në telefon. Mora një sy gjumë, duke menduar se kishte pasur ndonjë sherr. Më telefonuan njerëzit e afërt dhe më thanë të qetësohesha, se Dani është mirë, nuk kishte asnjë problem”.
Në bisedën e saj telefonike me “Sport”, Dinorah pranon se ajo që e ka bërë të ndihet më keq është se po zhvillohet një gjyq paralel dhe publik: “Mediat dhe njerëzit po e dënojnë Danin më parë, pa u gjykuar. Dani nuk ka zemër për të çnderuar një vajzë. Unë kam qenë e martuar për 10 vite me të dhe e njoh mirë”.
Besimi i saj ndaj ish-bashkëshortit është pothuajse i verbër, ndaj mendon se është i pafajshëm. “A do ta fusnit dorën në zjarr për të?”, – e pyet gazetari. Dhe ajo përgjigjet me forcë: “Jo vetëm kaq, do të hidhesha me gjithë trupin në zjarr për të”.
Megjithë afërsinë e saj emocionale, Dinorah pranon se nuk ka pasur kontakte me lojtarin që nga arrestimi i tij: “Nuk kam folur me Danin. Në situatën në të cilën ndodhet, ai nuk është i hapur ose gati të shohë njerëzit e vet ta vizitojnë në burg. Duhet të respektojmë mendimin e tij”.
E pyetur nëse mendon për “viktimën” e supozuar, ajo pohon se jo: “Nuk mendoj për të, nuk duam të komentojmë. E vetmja gjë që dimë është se ai nuk është i tillë. Ne nuk kemi pasur qasje as në provat akuzuese të prokurorisë”.
Në fjalët e Dinorah, ka padyshim një mesazh të qartë se si Dani Alves ishte në vitet e martesës me të dhe gratë rreth saj: “Në 20 vite ai kurrë nuk më foli me ton të lartë. Ndonjëherë debatoni në çift, por kurrë nuk trajtoi mua keq.
Njësoj sillej me femrat përreth meje. Dani ka patur gjithmonë besimin se një femër duhet trajtuar si mbretëreshë. Kjo i rrjedh nga babai, nga respekti që ka për nënën e tij. Kështu është me njerëzit në përgjithësi”.
