Chelsea ka bindur Thiago Silvën të qëndrojë edhe për një sezon
Ndonëse në shtator do të mbushë 39-vjeç, Chelsea ka besim se do të jetë në gjendje të bindë Thiago Silvën për të nënshkruar vazhdimin e kontratës edhe për një vit, duke e shpërblyer për paraqitjet e mira dhe konsolidimin e mbrojtjes së skuadrës, pohon “ESPN”.
Sipas burimeve të këtij mediumi, braziliani është i gatshëm të qëndrojë në ‘Stamford Bridge’, ku mbërriti në vitin 2020 si lojtar i lirë nga Paris Saint-Germain, klub i cili refuzoi t’i ofronte një kontratë të re. Edhe pse Chelsea kohët e fundit është fokusuar në sjelljen e lojtarëve më të rinj, klubi beson se përvoja e Silvës është e vlefshme për trajnerin Graham Potter.
“Ne do të flasim, ndoshta në ditët në vijim. Synimet e mia janë të qarta, le të qëndrojmë së bashku. E di që klubi ka nevojë për mua dhe unë jam këtu për të ndihmuar”, tha Silva javën e kaluar.
Ai ka 106 paraqitje për Chelsean, pesë gola, teksa fitoi titullin e Champions League me ta në 2021.
