Mbyllen ndeshjet e Kupës së Kosovës, këto skuadra kualifikohen në çerekfinale
Kanë përfunduar ndeshjet e sotme (e diel) në kuadër të Kupës së Kosovës në futboll.
Gjilani dhe Malisheva janë kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës, falë fitoreve të arritura.
“Kuqebardhët” nga Anamorava kanë triumfuar thellë 4:0 ndaj Vjosës së Shtimes në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Të katër golat skuadra e Zekirija Ramadanit i shënoi në pjesën e dytë. Shifrat i zhbllokoi Theophilus Solomon, në minutën e 49-të, derisa më pas realizuan edhe Mevlan Zeka (53’), Baton Zabërgja (81’) dhe Albert Dabiqaj (85’).
Malisheva e Bylbyl Sokolit fitoi pastër 2:0 përballë Fushë Kosovës. Golat për skuadrën e Malishevës i shënuan Bleart Tolaj (52’) dhe Ronald Sobowale (84’).
Ndeshja tjetër mes Beharit dhe Prizrenit i takoi skuadrës vendase që fitoi me rezultat të pastër 3:1.
Nesër zhvillohet edhe dueli i fundit mes Prishtinës dhe Dukagjinit, pasi u anulua shkaku i kushteve atmosferike.
