Liria e Prizrenit është shpallur kampione vjeshtore në Ligën e Parë dhe po marshon drejt rikthimit në elitën e futbollit kosovar.
Trajneri Ismet Munishi është optimist se prizrenasit do ta përmbushin objektivin, duke besuar se klubi me traditë dhe tifozëri të madhe e ka vendin në Superligë.
“Besoj fuqishëm se, me atë që kemi treguar deri më tani, do të jemi pjesë e Superligës. Mendoj se më shumë ka nevojë Superliga për Lirinë sesa Liria për Superligën”, ka deklaruar Munishi për KOHËN.
Pas fitores 3:0 ndaj Rilindjes 1974, në një stadium “Përparim Thaçi” të mbushur me tifozë, Liria e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në pozitën e parë.
Munishi ka vlerësuar punën e drejtuesve, futbollistëve dhe stafit, duke zbuluar gjithashtu se ka refuzuar oferta nga klube të Superligës dhe jashtë Kosovës për të vazhduar projektin në Prizren.
“Për Lirinë kam refuzuar rregullisht oferta të klubeve të Superligës dhe jashtë Kosovës. Kjo tregon seriozitetin dhe këmbënguljen që kam për momentin te Liria”, ka theksuar ai.
Trajneri prizrenas synon që skuadra të përmirësohet edhe më shumë gjatë fazës përgatitore, ndërsa në pranverë premton futboll atraktiv dhe spektakël për tifozët.
Artikullin e plotë me deklaratat e Ismet Munishit e gjeni në KOHA.net.