Max Verstappen ka regjistruar fitoren e katërt sezonale, pas një gare spektakolare në Çmimin e Madh të Las Vegasit, ku piloti holandez u përball me rivalë të shumtë dhe me një konkurrencë të fortë deri në fund.
Gara në pistën e Las Vegasit ishte e veçantë për nga dinamika, me kryesuesin që ndryshoi plot 35 herë. Verstappen fillimisht zhvilloi një duel të fortë me dy pilotët e Mercedesit, përpara se të përballej edhe me rivalët e McLarenit.
Pas triumfit, kampioni holandez nuk e fshehu entuziazmin për atë që kishte përjetuar në pistë.
“Nuk besoj se kam përjetuar ndonjëherë një garë si kjo, të paktën jo në Formula 1. Do ta quaja surreale”, u shpreh Verstappen.
Ai theksoi se strategjia e ekipit dhe menaxhimi i energjisë luajtën rol të rëndësishëm, ndonëse gara u bë gjithnjë e më e vështirë me afrimin e rivalëve.
“Gjithçka shkoi mirë që në fillim. E realizuam për mrekulli strategjinë për menaxhimin e energjisë, por më pas të tjerët na arritën dhe situata u bë disi e ndërlikuar”, deklaroi holandezi.
Verstappen veçoi edhe ndikimin e madh të efektit të rrjedhës së ajrit pas makinave, që ua lehtësonte pilotëve parakalimet dhe e bënte të vështirë krijimin e një epërsie të qëndrueshme.
“Bëmë gjithçka siç duhet, edhe pse kishte parakalime të vazhdueshme. Efekti i ‘slipstream’ ishte jashtëzakonisht i fuqishëm. Ishte e pamundur të shkëputeshim”, shtoi ai.
Përtej fitores në Las Vegas, Verstappen vlerësoi edhe progresin e bërë nga skuadra gjatë sezonit, duke theksuar se rezultatet e fundit japin arsye për optimizëm.
“Ky sezon nuk nisi mirë, por kemi arritur ta ndryshojmë vërtet situatën dhe vazhdojmë të përmirësohemi, duke pasur parasysh vitin e ardhshëm”, përfundoi piloti i Red Bullit.