Portieri belg, Thibaut Courtois, synon ta përfundojë karrierën te Real Madridi, klub me të cilin dëshiron të vazhdojë të shkruajë histori. Gardiani madrilen ka folur për të ardhmen e tij, ambiciet personale, kritikat e tifozëve dhe situatën e Vinicius Juniorit.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër PSV-së, Courtois u shpreh i lumtur dhe krenar për rinovimin e kontratës, duke konfirmuar se dëshira e tij është të qëndrojë në Madrid deri në fund të karrierës.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që kam firmosur për një vit tjetër. Synimi im është ta përfundoj karrierën këtu. Jam mirënjohës për besimin që më ka treguar klubi”, deklaroi belgu.
I pyetur nëse e konsideron veten portierin më të mirë në historinë e Real Madridit, Courtois u tregua i matur, por nuk e fshehu bindjen për nivelin e tij.
“Nuk duhet të jem unë ai që e thotë këtë. Mendoj se jam në nivelet më të larta, por çdo epokë është e ndryshme. Nuk mund t’i krahasosh rregullat e sotme me ato të para 20 apo 30 vjetëve. Gjithsesi, jam krenar që jam pjesë e historisë së Real Madridit”, theksoi ai.
Portieri belg foli edhe për marrëdhënien me trajnerin Jose Mourinho, duke vlerësuar ndryshimet që ka pësuar portugezi me kalimin e viteve.
“E njoh që kur isha 22 vjeç. Tani ka më shumë përvojë. Njeriu ndryshon me vitet. Ndoshta i përballon gjërat më qetësisht. Është njeri i qetë, por kur duhet ta shprehë mendimin, e bën këtë. Siç ndodhi edhe në ndeshjen e fundit gjatë pushimit mes pjesëve”, u shpreh Courtois.
Në fund, ai komentoi edhe vërshëllimat e tifozëve ndaj lojtarëve kur rezultatet dhe paraqitjet nuk janë në nivelin e pritur, duke marrë në mbrojtje edhe bashkëlojtarin Vinicius Junior.
“Tifozët paguajnë shumë para për të na parë dhe kanë të drejtë ta shprehin mendimin e tyre. Standardet e larta e bëjnë të madh Real Madridin, edhe pse ndonjëherë mund të krijojnë dyshime te lojtarët”.
Sa i përket Viniciusit, Courtois theksoi se braziliani e ka mbështetjen e plotë të skuadrës dhe se vazhdon të punojë për t’u përmirësuar.
“Ne e mbështesim njëri-tjetrin. Ai është i lumtur, vetëkritik dhe e di se duhet të punojë. Nuk mund të jesh gjithmonë numri 9 apo 10. Vetëm Messi dhe Cristiano ia kanë dalë, por unë e shoh Viniciusin me shumë vendosmëri”, përfundoi portieri belg.